Bahamas heq vizat për qytetarët e Kosovës

Bahamas heq vizat për qytetarët e Kosovës

Kosova dhe Bahamasi kanë shënuar një hap të ri në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënshkruar marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave, e cila u mundëson qytetarëve të të dy vendeve lëvizje të lirë pa viza.

Marrëveshja është nënshkruar në Uashington gjatë ditës së djeshme nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, dhe kryeministri i Bahamasit, Philip Davis. Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në platformën X.

Presidentja Osmani theksoi se ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i takimit dhe marrëveshjes së arritur me kryeministrin Davis pas njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në muajin dhjetor. Sipas saj, heqja e vizave pasqyron përkushtimin e përbashkët të Kosovës dhe Bahamasit për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, me fokus të veçantë afrimin e qytetarëve.

“Marrëveshja për përjashtimin reciprok nga kërkesat për viza për qytetarët e Kosovës dhe Bahamasit u nënshkrua sot në Uashington, D.C., nga ambasadorët tanë përkatës”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se ky hap forcon më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe njerëzve të tyre.

Për heqjen e vizave ka njoftuar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila e cilësoi këtë vendim si një tjetër lajm të mirë dhe si vazhdimësi e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe pas njohjes së fundit të Kosovës nga Bahamasi.

Më 19 dhjetor, Bahamasi u bë shteti i 121-të që njohu zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të vendit. Bahamasi është një shtet ishullor në Karaibe, me rreth 400 mijë banorë.