Kino Armata nis programin e filmave për fëmijë çdo të diel

Kino Armata ka nisur një iniciativë të re kulturore të dedikuar për fëmijë dhe familje, duke hapur dyert çdo të diel, nga ora 12:00, me një program të posaçëm filmash për më të vegjlit.
Ky program synon të ofrojë përvoja cilësore kinematografike, edukative dhe argëtuese për fëmijë, por edhe për prindërit që i shoqërojnë ata.
Filmi i parë që shënon hapjen e këtij cikli është animacioni i metrazhit të gjatë “Flow”, me regji të autorit leton Gints Zilbalodis, i njohur ndërkombëtarisht për stilin e tij minimalist dhe emocional. Filmi rrëfen historinë e një maceje të vetmuar në një botë të përmbytur nga uji, ku njerëzit janë zhdukur dhe natyra ka marrë një formë të re.
Gjatë udhëtimit, macja bashkohet me kafshë të tjera dhe, përmes bashkëjetesës dhe bashkëpunimit, mëson se mbijetesa nuk është e mundur pa mirëkuptim dhe solidaritet.
“Flow” është një film pa dialog, ku rrëfimi ndërtohet përmes imazheve, lëvizjes, muzikës dhe tingujve të ambientit, duke e bërë atë universalisht të kuptueshëm dhe të përshtatshëm si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Filmi është realizuar kryesisht me programin Blender, një softuer i hapur dhe falas, dhe është krijuar gjatë disa viteve pune intensive, pa përdorimin e storyboard-it tradicional, çka i jep veprës një ndjesi të lirë, organike dhe vizualisht unike.
Regjisori Gints Zilbalodis është një autor i pavarur i animacionit dhe “Flow” përbën filmin e tij të dytë me metrazh të gjatë, pas suksesit të filmit Away (2019). Me këtë vepër, ai ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke fituar Oscar për Filmin më të Mirë të Animuar në Academy Awards 2025, Golden Globe për Best Animated Feature Film, si dhe European Film Award për Filmin më të Mirë të Animuar, një nga çmimet më prestigjioze të kinemasë evropiane.
Me këtë program të ri, Kino Armata synon të krijojë një hapësirë të ngrohtë dhe frymëzuese për fëmijët, duke i afruar ata me filma cilësorë dhe histori që nxisin empatinë, imagjinatën dhe vlerat njerëzore.