Një vit ndryshe nga i yni: Populli Amazigh feston hyrjen në vitin 2976

Teksa pjesa më e madhe e botës sapo ka hyrë në vitin 2026, në Afrikën e Veriut një popull i lashtë po shënon një epokë krejt tjetër kohore. Populli Amazigh në Algjeri ka festuar këto ditë vitin 2976, sipas kalendarit të vet tradicional, duke rikthyer në jetë një histori mijëravjeçare që i paraprin edhe vetë qytetërimeve të njohura.
Festimet kryesore u mbajtën në fshatin Ait Bouhini, në provincën Tizi Ouzou, ku banorët u mblodhën për të shënuar Yennayer, Vitin e Ri Amazigh, që festohet çdo 12 janar. Sipas legjendës, kjo datë lidhet me fitoren e mbretit berber Shisnak ndaj faraonit egjiptian Ramses II, një moment simbolik që shënon fillimin e kalendarit Amazigh.
Por Yennayer nuk është vetëm një datë historike – është një festë e solidaritetit dhe bashkimit. Një nga ritualet më domethënëse është “vaade”, një tryezë e përbashkët ku fshatarët dhe mysafirët ulen së bashku për të ngrënë, pa dallim pasurie, moshe apo statusi shoqëror. Tradita ruan thelbin e saj edhe sot, ashtu si dikur, kur ushqimi ndahej nga pjata të mëdha prej druri apo balte.
“Ky festival do të thotë të bashkosh fshatarët në një vend, duke mirëpritur vitin e ri pa harruar të varfrit,” thotë Hakim Yugurta Shekini, një banor i zonës, duke theksuar se festimet mbështeten në një kalendar të hershëm bujqësor, që lidhet ngushtë me natyrën dhe jetën komunitare.
Atmosfera festive u plotësua me muzikë tradicionale rajonale, ndërsa fshati u zbukurua me qilima dhe qeramikë artizanale, duke i dhënë ngjyrë dhe identitet çdo cepi të tij.
Në Algjeri, ku 12 janari është festë zyrtare, Yennayer festohet për tre ditë rresht në mbarë vendin. Populli Amazigh, që përbën rreth 30 për qind të popullsisë prej 45 milionë banorësh, njihet si një nga popujt më të vjetër të Afrikës së Veriut, me prani të gjerë në Marok, Algjeri, Tunizi, Egjipt dhe pjesë të Libisë.
Një hap i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit erdhi në vitin 2011, kur qeveria algjeriane e shpalli gjuhën amazigh-e gjuhë zyrtare, ndërsa në 2018 12 janari u njoh zyrtarisht si festë kombëtare.
Në një botë që mat kohën me kalendarë modernë, Amazigh-ët vazhdojnë të dëshmojnë se historia, kultura dhe solidariteti mund të jetojnë përtej shekujve.