Fatlume Bunjaku përzgjidhet në mesin e 10 aktorëve më premtues të Evropës

Aktorja kosovare Fatlume Bunjaku është zgjedhur ndër dhjetë talentet më premtuese të aktrimit në Evropë për vitin 2026, në kuadër të programit prestigjioz European Shooting Stars. Përzgjedhja është realizuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, bazuar në performancën e saj në filmin Hana, me regji të Ujkan Hysajt.
Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga personalitete të njohura të industrisë së filmit, përfshirë aktoren daneze Danica Ćurčić (ish-pjesëmarrëse e European Shooting Stars), regjisorin fitues të çmimit Oscar Danis Tanović (No Man’s Land), kritiken e filmit Leila Latif, drejtorin e kastimit Jo Monteiro dhe producentin belg Jacques-Henri Bronckart.
Në kuadër të Berlinale 2026, Fatlume Bunjaku, së bashku me talentet e tjera të përzgjedhura, do të jetë pjesë e një programi intensiv katërditor. Ky program përfshin aktivitete të shumta profesionale, si sesione rrjetëzimi, takime me përfaqësues të industrisë ndërkombëtare të filmit, angazhime mediatike, ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimit European Shooting Stars, si dhe një prezantim të veçantë në tapetin e kuq të Berlinale Palast.
Ky vlerësim përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për aktoren, por edhe për kinematografinë e Kosovës në tërësi, duke kontribuar njëkohësisht në promovimin ndërkombëtar të filmit Hana, i cili është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Përzgjedhja e Fatlume Bunjakut si European Shooting Star 2026 dëshmon talentin dhe potencialin e saj artistik, duke e pozicionuar atë si një emër premtues në skenën evropiane të filmit.