Biblioteka Kombëtare e Kosovës digjitalizon mbi gjysmë milioni faqe në vetëm 7 javë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës digjitalizon mbi gjysmë milioni faqe në vetëm 7 javë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e digjitalizimit të fondit të saj, duke përpunuar 539,311 faqe në vetëm 7 javë.

Kjo shifër dëshmon për një punë intensive dhe të palodhshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë dokumentare kombëtare.

Nisma e digjitalizimit po e afron trashëgiminë librale dhe arkivore me publikun më shumë se kurrë më parë, duke lehtësuar qasjen për studiuesit, nxënësit, studentët, si dhe për të gjithë të interesuarit në dije dhe hulumtim shkencor.

Çdo faqe e digjitalizuar përfaqëson një histori të ruajtur dhe një hap përpara drejt mbrojtjes afatgjatë të dokumenteve të rralla dhe librave të çmuar. Përmes këtij procesi, Biblioteka Kombëtare jo vetëm që po ruan trashëgiminë kulturore, por po e jetëson atë në botën digjitale, duke e bërë pjesë aktive të zhvillimit bashkëkohor të dijes dhe kulturës.

Ky projekt përforcon rolin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si një institucion kyç në ruajtjen, qasjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare. /KultPlus.com