Historike: Islam Selmani shpallet nënkampion i botës në karate

Historike: Islam Selmani shpallet nënkampion i botës në karate

Sporti kosovar ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme. Karateisti i ri, Islam Selmani, është shpallur nënkampion i botës në Kampionatin Botëror të Karatesë që po mbahet në Kajro të Egjiptit, duke hyrë në historinë e sportit të Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili ka bërë të ditur se Selmani është karateisti i parë kosovar që arrin të fitojë një medalje të argjendtë në një Kampionat Botëror.

Sipas njoftimit, 20-vjeçari ka zhvilluar gjashtë luftëra të jashtëzakonshme, duke mposhtur kampionë botërorë dhe medalistë olimpikë përgjatë rrugës drejt finales. Në ndeshjen vendimtare, ai u përball me turkun Eray Samdan – të cilin e kishte mundur në fazën e grupeve – në kategorinë deri në 60 kilogramë, por u ndal një hap larg titullit të madh.

“Selmani u bë karateisti i parë që fiton medalje të argjendtë botërore, duke shënuar një prej sukseseve më të mëdha në historinë e sportit tonë. Urime të përzemërta për Selmanin, trajnerin Isak Curri dhe Federatën e Karatesë së Kosovës,” thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Ky rezultat e vendos Islam Selmanin mes emrave të mëdhenj të sportit kosovar dhe dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të talentëve të rinj në arenën ndërkombëtare.