Puthja e parë u dha 20 milionë vite më parë sipas studiuesve të Oxfordit

Puthja, një nga gjestet më të ëmbla dhe më universale të njerëzimit, mund të jetë shumë më e lashtë sesa kemi imagjinuar. Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Oxford, puthja e parë është dhënë rreth 20 milionë vite më parë – shumë kohë para se të shfaqeshin njerëzit modernë. Gjurmët më të hershme të saj gjenden te majmunët antropomorfë, mes të cilëve shimpazetë, bonobot dhe orangutangët.
Ky është studimi i parë që e analizoi puthjen si kontakt “gojë me gojë” jo-agresiv dhe jo të lidhur me shkëmbimin e ushqimit. Shkencëtarët morën në shqyrtim dhjetëra burime, sjelljen e primatëve dhe të dhënat biologjike, ndërsa teknologjia u përdor për të krijuar 10 milionë simulime evolutive. Qëllimi ishte të kuptohej se kur dhe pse lind një sjellje e tillë e lidhjes emocionale.
Rezultatet treguan se kjo formë puthjeje ka qenë pjesë e ndërveprimit shoqëror që shumë herët, duke u trashëguar nga speciet e hershme te homininët dhe ndoshta edhe te Neandertalët. Ajo shërbente si gjest afrimiteti, qetësimi dhe krijimi i lidhjeve – një lloj komunikimi emocional para-fjalësor.
Megjithatë, studimi ngre një pyetje intriguese: a është puthja në buzë pjesë e evolucionit tonë apo një krijesë e kulturës moderne? Sot, vetëm 46% e kulturave njerëzore e praktikojnë rregullisht, duke treguar se norma sociale, traditat dhe konteksti shoqëror luajnë po aq rol në këtë gjest sa edhe biologjia. Puthja mbetet një mister i lashtë që jeton ende me ne.