Rihapet Luvri pas grabitjes spektakolare: xhevahiret e kurorës mungojnë

Muzeu i Luvrit, i njohur si muzeu më i vizituar në botë, është rihapur sot vetëm disa ditë pas një grabitjeje spektakolare që tronditi botën.
Ngjarja ndodhi të dielën në Galerinë e Apollo-s, ku u vodhën xhevahiret e kurorës franceze dhe stoli të tjera të çmuara, me një vlerë totale që arrin 88-90 milionë euro, sipas prokurorisë franceze.
Grabitja zgjati vetëm tetë minuta, prej të cilave katër minuta brenda muzeut, duke e bërë këtë një nga vjedhjet më të shpejta dhe më të shtrenjta në historinë e Luvrit.
Hajdutët hyjnë duke përdorur shkallë lëvizëse, thyejnë një dritare dhe vitrinat, dhe largohen me tetë stoli të çmuara, duke përfshirë diamante dhe xhevahire të periudhës Napoleonike.
Prokurorja Laure Beccuau bëri të ditur se rreth 100 hetues janë angazhuar për të identifikuar autorët dhe për të rikuperuar xhevahiret e vjedhura.
Sipas zyrtarëve, sistemet e alarmit u aktivizuan menjëherë, por hajdutët përfunduan grabitjen para se të ndërhynte reagimi i plotë i sigurimit.
Galeria e Apollo-s është një nga piketat më të rëndësishme të muzeut, e njohur për koleksionet e saj të rralla dhe historike, duke përfshirë xhevahiret e kurorës franceze dhe diamantet e famshme historike.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e muzeut dhe ka shtuar debatet mbi nevojën për masa më të rrepta mbrojtëse ndaj objekteve të çmuara.