Po zhvillohet Samiti i Brdo-Brionit në Durrës me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

Po zhvillohet Samiti i Brdo-Brionit në Durrës me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

Sot në Durrës po zhvillohet Samiti i Iniciativës Brdo-Brioni, i mbledhur nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”. Takimi organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, dhe drejtohet nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Fokus i këtij samiti është Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024–2027, që synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët e Iniciativës, duke përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Samiti do të fokusohet në stabilitetin rajonal, rritjen ekonomike dhe forcimin e bashkëpunimit ndër-vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas ndarjes së fondeve të Planit të Rritjes, Serbia do të përfitojë mbi 1.5 miliardë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Bosnjë-Hercegovina rreth 900 milionë euro, Kosova rreth 880 milionë euro, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, dhe Mali i Zi 380 milionë euro. Ky plan synon të përshpejtojë integrimin ekonomik dhe politik të rajonit në Bashkimin Evropian.

Iniciativa Brdo-Brioni, e themeluar në 2013, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të lehtësojë rrugën drejt anëtarësimit në BE. Samiti i këtij viti në Durrës pritet të vijojë zotimet e mëparshme për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.