Alban Hyseni publikon bilancin e investimeve në ujësjellës dhe nis projektin FLOWS në vlerë 15 milionë euro

Alban Hyseni publikon bilancin e investimeve në ujësjellës dhe nis projektin FLOWS në vlerë 15 milionë euro

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe kandidati për një mandat të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka bërë bilancin e investimeve në sektorin e ujësjellësit gjatë katër viteve të para të qeverisjes së tij, duke theksuar se ky sektor ka qenë një nga prioritetet kryesore.

Sipas tij, gjatë mandatit të parë janë investuar mbi 1.5 milionë euro në përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra të komunës, përfshirë Pograçë, Vrapçiq, Vërbicë e Kmetoc, Bresalc, Uglar dhe Cërnicë.

Për 4 vjet, kemi investuar mbi 1.5 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit në Pograçë, Vrapçiq, Vërbicë e Kmetoc, Bresalc, Uglar e Cërnicë,” ka deklaruar Hyseni, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre projekteve për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në vazhdim, Hyseni ka shpallur fillimin e një projekti të ri madhor në këtë fushë – projekti FLOWS, me vlerë prej 15 milionë euro, që synon të modernizojë tërësisht sistemin e furnizimit me ujë në Gjilan. Ky projekt pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm, si dhe në zvogëlimin e humbjeve të ujit.

Tani kemi nisur projektin gjigant FLOWS në vlerë prej 15 milionë euro – që do të ulë humbjet nga 52% dhe do të sjellë ujë të pijshëm më të sigurt e më cilësor për qytetarët,” ka shtuar ai.

Kryetari i Komunës ka theksuar gjithashtu se pas datës 12 tetor, në rast të fitimit të mandatit të dytë, do të vazhdojë me projekte konkrete për ujësjellësin në çdo lagje dhe fshat të Gjilanit.

Pas 12 tetorit, vazhdojmë me projekte konkrete për ujësjellësin dhe ujin e pijshëm në çdo lagje e fshat të Gjilanit. BASHKË!” është mesazhi i tij drejtuar qytetarëve.