Whitney Houston “ringjallet” pas 13 vjetësh me një duet emocionues me Calum Scott

Whitney Houston “ringjallet” pas 13 vjetësh me një duet emocionues me Calum Scott

Duket e pamundur, por kjo është magjia e muzikës. Zëri i Whitney Houston u ngjall sërish 13 vjet pas vdekjes së saj, në një duet të ri me këngëtarin anglez Calum Scott, raporton AP.

Kënga është një riinterpretim balladë i klasikës “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)”, duke përdorur vokalet origjinale të Houston.

“Ishte diçka që as nuk mund ta kisha ëndërruar si mundësi, dhe fakti që do ta bëj është një nga momentet më të veçanta të karrierës sime,” tha Scott, i cili e quan Houston një nga zërat më me ndikim në jetën e tij dhe të shumë të tjerëve.

Projekti u realizua me miratimin e Pat Houston – kunatës së këngëtares dhe ekzekutueses së pasurisë së saj – si dhe të kompanisë Primary Wave, që bleu të drejtat e këngëve të saj në vitin 2022.

Ideja lindi pasi Primary Wave u impresionua nga versioni live i Scott në turneun e Ed Sheeran, ku ai e kishte shndërruar hitin e vitit 1987 në një balladë të ndjerë, duke e kombinuar me “Dancing On My Own” të Robyn.

Prodhimi i këngës ruan disa elementë origjinalë, si efektin e njohur të “snare drum” dhe ndryshimin ikonë të çelësit në korin final, ndërsa shton një seksion violinash për një dimension emocional të ri.

“Ishte një nder thjesht të harmonizoja me të dhe të kërkoja ato nota të larta,” tha Scott.

Ky projekt rikthen magjinë e zërit të Houston, duke e sjellë një prej hiteve të saj më të mëdha në një formë të re dhe prekëse për audiencën e sotme.