8 Shtatori – Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit: Lufta kundër analfabetizmit vazhdon

Sot, më 8 shtator, shënohet Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, një ditë e dedikuar për të theksuar rëndësinë që ka leximi dhe shkrimi në zhvillimin e individëve, komuniteteve dhe shoqërive në mbarë botën.
Kjo ditë, e shpallur nga UNESCO në vitin 1966, ka origjinën nga Konferenca Botërore e Ministrave të Arsimit e mbajtur në Teheran në vitin 1965, e cila kishte në qendër të saj angazhimin për zhdukjen e analfabetizmit. Që prej atëherë, më 8 shtator bota ndalet për të reflektuar mbi sfidat dhe arritjet në fushën e shkrim-leximit.
Pavarësisht përparimeve të dekadave të fundit, problemi i analfabetizmit mbetet ende i pranishëm në shumë vende. Sipas të dhënave të UNESCO-s:
- Rreth 775 milionë të rritur në botë nuk zotërojnë aftësitë bazike të shkrim-leximit.
- 1 në 5 të rritur është analfabet, ndërsa 2/3 e tyre janë gra.
- Rreth 75 milionë fëmijë nuk ndjekin shkollën ose e kanë braktisur atë.
Dita e sotme shërben si kujtesë se arsimimi është çelësi i fuqizimit personal dhe zhvillimit shoqëror, dhe se angazhimi për të ofruar qasje në arsim cilësor duhet të mbetet prioritet global.