330 milionë euro jashtë vendit: Kosovarët po investojnë gjithnjë e më shumë, Shqipëria destinacioni kryesor

330 milionë euro jashtë vendit: Kosovarët po investojnë gjithnjë e më shumë, Shqipëria destinacioni kryesor

Kosovarët kanë rritur ndjeshëm investimet jashtë vendit gjatë vitit të kaluar, duke investuar rreth 327.7 milionë euro vetëm në periudhën janar–nëntor 2025, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Kjo shifër dëshmon një trend në rritje të interesimit për zgjerim biznesesh përtej kufijve të Kosovës.

Sipas BQK-së, investimet direkte jashtë Kosovës janë rritur për 66.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, duke shënuar një nga rritjet më të mëdha ndër vite. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve është orientuar drejt Shqipërisë.

Madje, gjatë vitit 2025, bizneset kosovare janë renditur në krye të listës së investitorëve të huaj në Shqipëri, duke forcuar edhe më tej lidhjet ekonomike mes dy vendeve. Ky trend tregon besimin e investitorëve kosovarë në tregun shqiptar dhe potencialin e tij zhvillimor.

Ndërkohë, ndryshe nga investimet jashtë vendit, investimet direkte në Kosovë kanë shënuar një rritje më të moderuar. Deri në fund të nëntorit 2025, investimet direkte në Kosovë arritën në 934.3 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 28.29 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.