27 vjet nga Rambujeja: konferenca që paralajmëroi fundin e një epoke

27 vjet nga Rambujeja: konferenca që paralajmëroi fundin e një epoke

6 shkurt 1999, në Rambuje, pranë Parisit, nisi një nga proceset më vendimtare diplomatike për fatit e Kosovës. Konferenca e Rambujesë u konceptua si një përpjekje ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës humanitare dhe politike në Kosovë, por ajo u shndërrua në pikën e fundit para ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Nën iniciativën e Grupit të Kontaktit dhe me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të SHBA-së, Rusisë dhe Bashkimit Evropian, bisedimet zgjatën deri më 23 shkurt. Delegacioni i Kosovës pranoi parimisht marrëveshjen e propozuar, duke e parë atë si rrugë drejt ndaljes së dhunës dhe hapjes së një procesi politik ndërkombëtar. Në anën tjetër, delegacioni serb refuzoi praninë e trupave të NATO-s dhe këmbënguli që çdo forcë ndërkombëtare të ishte nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Dështimi i raundit të parë u pasua nga një përpjekje e dytë në Paris, më 15 mars 1999. Edhe pse më 18 mars palët nënshkruan dokumente të ndara, mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët e vulosi fundin e procesit diplomatik. Tentativa e fundit e ndërmjetësimit nga i dërguari amerikan Richard Holbrooke, më 22 mars, dështoi përballë refuzimit të Sllobodan Millosheviqit për të pranuar marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare.

Vetëm dy ditë më vonë, më 24 mars 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake dhe paramilitare serbe. Ndërhyrja përfundoi më 6 qershor 1999 me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila parashikoi tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare.

Pas kësaj, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vendosi administrimin ndërkombëtar të Kosovës përmes UNMIK-ut dhe praninë ushtarake të KFOR-it. Ky proces do të kulmonte në një kapitull të ri historik më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.

Rambujeja, edhe pas 27 vitesh, mbetet simbol i një momenti kur diplomacia dështoi, por historia mori një drejtim të pakthyeshëm