21 komuna të Kosovës e mbyllën garën që në rundin e parë!

Pas një të diele plot tension, emocione e pritje para kutive të votimit, rezultatet tashmë janë të qarta: 21 komuna të Kosovës e kanë zgjedhur kryetarin që në rundin e parë. Pa balotazh, pa drama shtesë – disa me fitore bindëse, e disa me “rrëshqitje” në finish.
Në Ferizaj, Agim Aliu nga PDK vazhdon mandatin me mbi 56% të votave – duket se qytetarët ia dhanë sërish besimin për të udhëhequr.
Në Lipjan, Imri Ahmeti nga LDK kaloi vijën e finishit me mbi 51%, ndërsa në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje e mbylli garën me mbi 53%.
Në Skënderaj, fitorja ishte më shumë formalitet – Sami Lushtaku (PDK) mori mbi 83% të votave, një rezultat që s’e lë vend për dyshim.
Në Kamenicë, Kadri Rahimaj (LVV) kaloi pragun me mbi 50%, ndërsa Istogun e mori Ilir Ferati (LDK) me 58%.
Në Shtime, Qemajl Aliu (LVV) fitoi me një rezultat të ngushtë, por të mjaftueshëm për të shmangur balotazhin.
Në Malishevë, Ekrem Kastrati (Nisma Socialdemokrate) arriti mbi 53% dhe siguroi edhe një mandat.
Deçani u ngjiti në tabelë me Bashkim Ramosajn (AAK) – mbi 51% e votave i dhanë fitoren.
Në Drenas, Ramiz Lladrovci – tashmë si kandidat i iniciativës “Për Drenasin Kampion” – mori mbi 52%, ndërsa në Hani i Elezit, Mehmet Ballazi (PDK) kaloi me pak mbi 50%.
Në Mamushë, Abdulhadi Krasniç nga KDTP ruajti bastionin turk me fitore të pastër.
Lista Serbe fitoi në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, por edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Pra, një e diel që mbylli kapituj dhe hapi pritje të reja: 21 kryetarë tashmë i kanë vulat në duar, ndërsa 17 komuna tjera do ta rifillojnë garën më 9 nëntor.
Deri atëherë, partitë mbledhin forcat, ndërsa qytetarët… pak më të qetë, ndoshta mendojnë veç për pushim pas një fundjave me shumë fletëvotime.