1 trilion dollarë suficit: Kina dominon tregjet ndërkombëtare

Kina ka arritur një moment historik në ekonominë e saj, duke regjistruar për herë të parë një suficit tregtar vjetor prej mbi 1 trilion dollarësh.
Ky zhvillim po tërheq vëmendjen dhe shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, pasi tregon fuqinë e jashtëzakonshme të eksportit kinez dhe ndikimin e saj në tregjet globale.
Por çfarë është saktësisht suficiti tregtar?
Suficiti tregtar ndodh kur vlera e eksporteve të një vendi (mallrat dhe shërbimet që një vend shet jashtë) tejkalon vlerën e importeve (mallrat dhe shërbimet që vendi blen nga jashtë). Nëse eksportet janë më të mëdha se importet, vendi ka suficit; nëse importet janë më të mëdha se eksportet, ka deficit. Një suficit i madh tregon se vendi po shet shumë më tepër jashtë se sa po blen, gjë që mund të forcojë ekonominë e tij, por gjithashtu mund të krijojë tensione me partnerët tregtarë që humbin pjesë të tregut.
Sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës dhe raportimeve të Bloomberg, eksportet kineze rikuperuan rritjen në nëntor, duke u rritur me 5.9% krahasuar me një vit më parë, pas një rënie të papritur në tetor. Ndërkohë, importet u rritën vetëm me 1.9%, duke çuar suficitin mujor në 112 miliardë dollarë – një nga nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Kjo rritje ka bërë që Kina të regjistrojë një suficit prej 1.1 trilion dollarësh në vetëm 11 muaj, duke tejkaluar rekordin vjetor të vitit 2024. Edhe pse eksportet drejt SHBA-ve ranë me 29% në nëntor, shitjet drejt Bashkimit Evropian dhe Afrikës u rritën ndjeshëm, duke kompensuar humbjet në tregun amerikan.
Bloomberg thekson se Kina po shfrytëzon tregje alternative për të ruajtur rritjen e saj, edhe përballë sfidave të luftës tregtare dhe proteksionizmit në rritje. Eksportet drejt BE-së u rritën me gati 15% – ritmi më i shpejtë që prej korrikut 2022 – ndërsa eksportet drejt Afrikës u rritën me 28%.
Ky nivel i lartë suficiti tregon fuqinë ekonomike të Kinës, por gjithashtu përbën një sfidë për partnerët ndërkombëtarë, të cilët shpesh kritikojnë Pekinin për praktika tregtare që favorizojnë eksportin e madh mbi importet.